Në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, gjimnazi “Aleks Buda” organizoi një aktivitet ndërgjegjësues me pjesëmarrjen aktive të disa prej nxënësve të shkollës. Ky aktivitet kishte si qëllim kryesor informimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi autizmin, si dhe mënyrat se si mund të jenë mbështetës dhe të përfshirë ndaj fëmijëve dhe bashkëmoshatarëve në spektrin autik.
Gjatë aktivitetit, nxënësit treguan interes të lartë, bënë pyetje të shumta për të kuptuar më shumë mbi autizmin dhe ndanë mesazhe frymëzuese për të nxitur pranimin dhe përfshirjen. Ata theksuan rëndësinë e informacionit dhe edukimit për të ndërtuar një shoqëri më të kuptueshme dhe të drejtë për të gjithë.
Në përmbyllje, nxënësit shprehën dëshirën që këto takime të jenë të vazhdueshme, duke theksuar se informimi i ndihmon të kuptojnë më mirë dhe të mbështesin më shumë shokët e tyre që janë pjesë e spektrit autik.
Disa nga mesazhet e përzgjedhura të nxënësve:
-
“Edhe unë jam këtu, më pranoni siç jam.”
-
“Autizmi nuk zgjedh!”
-
“Autizmi flet me ngjyra!”
-
“Autizmi kërkon të pranohet, jo të paragjykohet.”
Ky aktivitet është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një mjedisi më gjithëpërfshirës dhe të ndërgjegjshëm brenda komunitetit shkollor.