Aktiviteti sensibilizues, i organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, u zhvillua në Shkollën 9-vjeçare “Klodian Tanushi” në Tiranë. Ky aktivitet ishte i realizuar nga shërbimi psiko-social i shkollës, në bashkëpunim me Qeverinë e Nxënësve, dhe përfshinte një pjesëmarrje të veçantë të përfaqësuesve nga Eipass Albania dhe organizatës “Autizmi Flet”. Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte rritja e ndërgjegjësimit për Sindromën Down dhe theksimi i rëndësisë së pranimit dhe mbështetjes së individëve me këtë sindromë.
Fëmijët e mrekullueshëm dhe të talentuar paraqitën performanca me këngë, vjersha dhe interpretuan me violinë, duke treguar aftësitë e tyre artistike dhe duke emocionuar të pranishmit me pasionin dhe talentin e jashtëzakonshëm që shfaqnin. Prindërit e fëmijëve me Sindromën Down ndanë përvojat e tyre, duke shpërndarë historitë e vështirësive, sfidave dhe arritjeve që ata kanë përjetuar gjatë këtij udhëtimi. Ata ofruan mesazhe të fuqishme dhe inspiruese, të cilat patën një ndikim të madh mbi nxënësit e shkollës sonë.
Ky aktivitet shërbeu si një mundësi për të theksuar rëndësinë e mbështetjes sociale dhe edukative për fëmijët me nevoja speciale, si dhe për të promovuar një shoqëri më të hapur dhe të pranuar për të gjithë.